Zbulohet misteri se si po “avullohen” biletat për ndeshjet e Kosovës

Kombëtarja 07 Tetor 2019 20:31

Biletat e ndeshjes Kosovë – Mali i Zi dolën në shitje sot nga ora 16:00. Por pas 11 minutave, qytetarët nuk kanë pasur mundësi të blejnë asnjë biletë, ngase të gjitha ishin shitur.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka kufizuar numrin dhe një blerës mund të marrë më së shumti 3 bileta.

“Interesimi është shumë i lartë për blerjen e biletave. 60-70 bileta shiten në sekond. FFK-ja e ka kufizuar numrin e shitjes së biletave në 3 për një llogari, megjithatë njerëz të cilët abuzojnë dhe duan të përfitojnë, mund të hapin shumë llogari dhe duke shfrytëzuar një xhirollogari apo kredit kartelë mund të blejnë shumë bileta. Fatkeqësisht kapaciteti i stadiumit “Fadil Vokrri” është shumë i vogël ndërsa interesimi tejet i lartë” ka thënë për Indeksonline një zyrtar i kompanisë “Tiks”.

Qytetarët po shprehen të frustruar që nuk po mund të sigurojnë biletë për t’i ndjekur “Dardanët”.

E vetmja mundësi tjetër mbetet tregu i zi, ku çmimi është shumëfish më i lartë.