Zbulohet pse Gareth Bale u zëvendësua në ndeshjen kundër Juventus

Futboll 20 Prill 2018 10:54

Takimi i dytë në çerekfinale të Champions League në mes Real Madrid dhe Juventus, që u zhvillua javën e kaluar në “Bernabeu”, duket se ka kaluar me një moment që nuk është vërejtur pothuajse nga askush, por që më në fund zbulohet.

Në ndeshjen që pati polemika, por që në fund Real Madrid u kualifikua në gjysmëfinale, me të filluar pjesa e dytë, Gareth Bale ishte zëvendësuar me Marco Asension, por të gjithë menduan se bëhet fjalë për ndonjë lëndim apo taktikë të trajnerit Zinedine Zidane.

Por, e vërteta është plotësisht ndryshe, pasi duket se Zidane e ka humbur durimin dhe nervat me Bale, i cili sipas trajnerit francez, nuk është me serioz dhe i mungon përkushtimi për të siguruar suksese për veten dhe skuadrën pikë së pari.

Kishte përfunduar pjesa e parë e ndeshjes kundër Juventus në “Bernabeu” dhe Real Madrid ishte në dizavantazh 0-2, kur në një moment derisa lojtarët ishin në tunel për ne zhveshtore, Cristiano Ronaldo ishte dëgjuar duke i thënë Bale të ishte më agresiv në pjesën e dytë, me ç’rast uellsiani kishte filluar të qesh dhe dukej që nuk ishte serioz. Këtë gjë e kishte parë Zidane dhe i nervozuar me Bale që ishte jo serioz, vendos ta zëvendësoj pa filluar pjesa e dytë.

Për më shumë, tri ditë më vonë në ndeshjen kundër Malagas në LA Liga, Bale nuk ishte fare i ftuar nga trajneri për atë përballje, derisa kundër Athletic Bilbaos, u fut nga banka në 20 minutat e fundit të ndeshjes.

Kjo rrit edhe më shumë spekulimet dhe zërat dhe ky mund të jetë edhe sezoni i fundit i Gareth Bale me ekipin madrilenë, tek të cilët kishte ardhur në vitin 2013 nga Tottenham për një shifër prej 86 milionë funteve. /Insporti.com

-->