Zbulohet shkaku që bllokoi transferimin e Correas te Milani

Futboll 03 Shtator 2019 19:45

Milani e mbylli merkaton me afrimin e kroatit Ante Rebic, i cili nënshkroi vetëm disa orë para gongut final, por kuqezinjtë nuk ia dolën të marrin atë që cilësohej si “qershia mbi tortë” e kësaj fushate shitblerjesh.

Bëhet fjalë për argjentinasin Angel Correa, që është pjesë e Atleticos së Madridit dhe që u kërkua me ngulm nga drejtuesit e Milanit, por që gjithsesi mbeti në kryeqytetin spanjoll, ndërsa e përditshmja “AS” zbulon edhe prapaskenat e dështimit të transferimit.

Fillimisht Milani ia doli të zbutë pretendimet e Atleticos së Madridit në më pak se 50 milionë euro për kartonin e Correas, por më pas kuqezinjtë ofruan huazim me të drejtë blerjeje, ndërsa spanjollët këmbëngulën për huazim me detyrim blerjeje.

Kjo pasi te Atletico donin që paratë e ardhura nga shitja e argjentinasit të investoheshin për të marrë sulmuesin e Valencias, Rodrigo, por në fund Milani nuk kënaqi kërkesat e spanjollëve dhe Correa mbeti nën urdhrat e Diego Simeones.