Zëdhënësi i Prishtinës: Gjyqtari Sekiraqa ka marrë para, Drita është e përfshirë 100%

Futboll 09 Korrik 2020 09:24

Zëdhënësi i Prishtinës, Avni Durmishi, mendon që gjyqtari anësor, Fatmir Sekiraqa, është korruptuar nga Drita për duelin e djeshëm.

Durmishi pas ndeshjes tha para medieve se Gjilani mund të jetë i pafajshëm, por sipas tij, Drita është 100% e përfshirë në atë që ndodhi.

“Fatmir Sekiraqa është gjyqtar i njohur për ne që nga ndeshja me Dritën në Pejë para dy vitesh. Edhe atëherë ka marrë para, edhe sot ka marrë para”, deklaroi Durmishi.

“Ndoshta Gjilani është i pafajshëm, por Drita është e përfshirë 100%”.

“Lotësjellësi i policisë është i paparë. Prishtina në vitin 1990 e ka përjetuar atë brutalitet me Proleterin. Askush nuk i ka sulmuar gjyqtarët fizikisht, verbalisht po, por fizikisht s’ka pasur kurrfarë tentimi”, shtoi Durmishi.

Pas humbjes ndaj Gjilanit, Prishtina ra në vendin e katërt në renditje.

-->