Zekolli zbulon detaje: Kryesia e FBK-së nuk më ka lejuar kandidimin, nuk janë të nivelit tim

Basketboll 14 Mars 2021 13:40

Legjenda e basketbollit kosovar, Ferit Zekolli në një prononcim për Insportin, ka zbuluar detaje nga gara për kryetar të FBK-së.

Zekolli ishte eliminuar nga gara për kryetar të FBK-së, në vitin 2016 kur kishte dërguar kandidaturën në FBK më 7 nënshkrime siç ishte paraparë me status dhe rregulloren e punës se kuvendit, por ashtu siç thotë edhe vet Zekolli, FBK-ja qëllimisht nuk e lejoi të kandidojë.

“‘Kryesia nuk ma ka lejuar as kandidaturën me shpallë, dhe nuk jam i merakosur pse nuk jam kryetar, jam i vetmi basketbollist në botë shqiptar që kam lujtë në ajkën më të madhe botërore, dhe jam udhëheqësi më i madh edhe në Kosovë, po e them pa modesti”

Tutje, Zekolli ka shprehur shqetësimin për të arriturat e FBK-së gjatë këtyre viteve.

“Të gjitha shpenzimet që janë bërë në Federatën e Basketbollit dhe nëpër ekipet e basketbollit, me miliona, ne akoma nuk kemi prodhuar asnjë basketbollistë, kjo është katastrofë, atë e bëjnë vetëm analfabetët e lëmisë përkatëse.

“Federata e Basketbollit është tash e sa vite federata ma e dobët prej të gjitha federatave të sportit, që ka paur më së paku suksese, vetëm duke iu falënderuar udhëheqjes së dobët që ka pasë, e aty  në radhë të parë numërohet kryetari që ka qenë, Erolld Belegu, i cili 5 pare nuk i ka jep për zhvillimin e basketbollit, e në veçanti për me dal basketbollistë, trajnera e refera të rinj, ajo ka qenë në mënyrë artificiale për me promovu vetveten, e ka mbledh një grup përreth vetit, janë disa njerëz aty të mirë edhe njohës të basketbollit, por për fat te keq aty ende punohet me direktiva të atyre të vjetrave, dhe për atë arsye nuk jam i fare, fare i interesuar të jem pjesë përbërëse të asaj ‘ kllabe’ ta quaj.”

Ndërsa, i pyetur se çfarë mendon për Linda Shalën, e cila ka qenë pjesë e Komisionit kur Zekolli u eliminua nga gara për kryetar të FBK-së, ndërsa tash synon që të bëhet kryetare e KOK- ut, Zekolli ka refuzuar të përgjigjej, duke thënë se asnjë aty (në FBK) nuk është i nivelit të tij.

“Krejt kryesia, për askënd nuk kam nevojë të flas sepse askush ty nuk janë në nivel timin, nuk jam në ngjarje as në rrjedha, sepse nuk jam tu marrë me ato punë”

Kujtojmë se, Linda Shala kishte dështuar të bëhej anëtare e bordit të KOK-ut në vitin 2016, pasi ishte ‘mposhtur’ nga Besire Domaniku edhe Imer Rama.

Ndërsa, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) me datë 8 Mars e ka zyrtarizuar nominimin e nënkryetares së Bordit të FBK-së, Linda Shala për Kryetare të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). /Insporti.

-->