Zgjedhjet në FIBA Europe – si votoi Kosova

Basketboll 25 Maj 2019 15:30

Në Munih të Gjermanisë u mbajt Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës ku morën pjesë përfaqësuesit nga të gjitha federatat anëtare të konfederatës evropiane të basketbollit.

Kjo asamble sivjet ishte posaçërisht interesante, meqë kishte karakter zgjedhor, gjegjësisht duhej të votohej Kryetari i ri dhe anëtarët e Bordit dhe të komisioneve për mandatin 2019-2023.

Federata e Basketbollit e Kosovës në këtë Asamble të Përgjithshme u përfaqësua nga Kryetari Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme Elvira Dushku.

Lajmi kryesor është se Turgay Demirel, Kryetari i deritashëm i FIBA Evropës e ka fituar edhe një mandat në këtë post, duke mundur dy kundër kandidatët për këtë garë, belgun Cyriel Coomans dhe serbin Dejan Tomasevic.

Coomans për shumë vjet ka qenë Kryetar i federatës belge dhe anëtar i Bordit ose nënkryetar i FIBA Evropës, kurse Tomasevic ka qenë lojtar shumë i trofeshëm në Evropë deri në dekadën e kaluar dhe kohëve të fundit është bartës i funksioneve të rëndësishme në federatën serbe.

Burime të Insportit brenda FBK-së bëjnë të ditur se vota e Kosovës ka shkuar për Demirelin, i cili është mik i madh i basketbollit kosovar dhe ka qenë i gatshëm të ndihmojë FBK-në qysh para pranimit në FIBA, e posaçërisht pas pranimit, kur kjo marrëdhënie është intensifikuar edhe më shumë.

Demirel për shumë vjet ka mbajtur poste të rëndësishme në FIBA Evropë dhe në FIBA, është një nga njerëzit më meritorë për zhvillimin dhe përhapjen e basketbollit në Evropë kohëve të fundit dhe në planin e tij katër vjeçar ka premtuar edhe më shumë përkrahje në zhvillimin e kapaciteteve të federatave kombëtare, raporton Insporti.