Zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri” dhe aplikimi i VAR-it

Futboll 08 Prill 2021 22:04

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të Punës, ku u prezantua puna e kësaj federate me në krye kryetarin Agim Ademi.

Në kuvendin e mbajtur online, përveç zyrtarëve të FFK-së, morën pjesë edhe zyrtarë të UEFA-s dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka.

Në kuvend u miratua raporti financiar për 2020, ku u paraqitën punët e realizuara gjatë këtij viti si dhe objektivat për vitin 2021.

Aty u bë e ditur se fokusi kryesor gjatë vitit 2020, i cili ishte i vështirë për shkak të pandemisë ishte te mbështetja financiare e klubeve, si dhe rinovimi dhe zgjerimi i disa fushave dhe sallave sportive.

Nga ana tjetër u tha se FFK për vitin 2021 synon zgjerimin e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” për 7.000 ulëse dhe fillimin e aplikimit të sistemit VAR në Superligën e Kosovës.

-->