Zhegrova flet pas super-golit të shënuar në kampionatin francez

Futboll 11 Prill 2022 10:15

Edon Zhegrova ka vazhduar të shkëlqejë me fanellën e Lilles, ku ka realizuar edhe golin e dytë këtë edicion në Ligue 1.

Sulmuesi nga Kosova u inkuadrua në lojë për t’i dhënë një pikë kampionit në fuqi të Francës në sfidën ndaj Angers në udhëtim.

Prishtinasi depërtoi bukur dhe me një goditje të fuqishme me të majtën nga distanca realizoi për t’i barazuar shifrat në 1-1.

Zhegrova ka thënë pas ndeshjes se ky gol dëshmon se ai po punon shumë, por do të ishte më i lumtur nëse Lille do t’i fitonte tri pikët në këtë sfidë.

“Goli është dëshmi se po punoj shumë në stërvitje. Mundohem të shënoj gola të tillë në stërvitje. Ishte gol i bukur, por nuk jam i lumtur pasi nuk kemi fituar tri pikët”.

“Është dashur të paraqitemi më mirë sot. Ky nuk është rezultat i mirë për ne”, ka deklaruar Zhegrova pas ndeshjes.

23-vjeçari zhvilloi ndeshjen e gjashtë me fanellën e Lillet në Ligue 1, ku ndaj Angers realizoi edhe golin e dytë personal në elitën e futbollit francez. 

-->