Zhegrova tregon syminin e tij  

Kombëtarja 17 Prill 2019 17:59

Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova është një nga futbollistët e rinj më të talentuar të brezit të tij në Kosovë. Sulmuesi u transferua në afatin kalimtar dimëror nga Genk drejt kampionatit zviceran, te ekipi i Baselit, ndërsa u mendua si një alternativë e mirë për të gjetur më shumë hapësira.

Megjithatë, 20-vjeçari nuk është aktivizuar rregullisht, por këtë javë e nisi për herë të parë ndeshjen nga minuta e parë dhe u shpall lojtari i ndeshjes, ndërsa u përfshi edhe në formacionin e javës në Zvicër. Sigurisht, talenti është i padiskutueshëm dhe me punë Zhegrova mund të mbërrijë shumë në karrierë. Duke qenë se ishte një nga protagonistët e javës te Baseli, sulmuesi në një intervistë për ‘telebasel.ch’, është shprehur se ka dëshirë të bëhet një futbollist i madh te Basel.

“Unë nuk kënaqem asnjëherë dhe po mundohem të përmirësohem nga ndeshja në ndeshje. Por është pak e vështirë kur nuk aktivizohesh rregullisht. Megjithatë, besoj se do të kem më shumë mundësi në të ardhmen dhe dua të bëhem një lojtar i madh te Basel”, ka thënë Zhegrova.