Zhvillime të reja tek Prishtina në lidhje me Azemin e Berishën

Superliga 11 Nëntor 2019 13:56

Dy basketbollistët, Edmond Azemi dhe Dardan Berisha, të shtunën mbrëma, më 9 nëntor, patën një konflikt të papritur gjatë ndeshjes së Sigal Prishtinës me Rahovecin, ku në fund Prishtina humbi sfidën nga Rahoveci (94:87).

Për këtë rast, klubi i Prishtinës i ka suspenduar të dy lojtarët kryesorë, kapitenin dhe liderin.

“Koha Ditore” përmes një burimi brenda klubit merr vesh se sot (e hënë, 11 nëntor) mund të vendoset për dy lojtarët e famshëm nëse do të ketë ndonjë masë tjetër.

“Dy lojtarët janë të suspenduar. Të hënën mbahet një takim dhe zgjidhet çështja. Klubi nuk do të tolerojë lojtarë të padisiplinuar. Ka pasur vetëm një shtyrje mes tyre, por kjo është reflektuar në lojë. Është hera e parë që Edmondi e Dardani kanë pasur mosmarrëveshje. Ata janë shokë të mirë, janë cimerë. Por këto gjëra ndodhin në sport. Ndodhin, por nuk bën të reflektohen në lojë. Nëse do të ketë masë tjetër pritet të vendoset të hënën”, ka thënë një burim brenda klubit Prishtina, raporton “Koha Ditore”.

Drejtues të Prishtinës, por edhe lojtarët nuk kanë folur për incidentin. Skuadra e Prishtinës të dielën në mëngjes ka udhëtuar për në Qipro, ku të martën e luan ndeshjen e radhës në kuadër të FIBA Europe Cup ndaj Apoel Nicosias.

“Azemi e Berisha nuk kanë udhëtuar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës për këtë ndeshje të rëndësishme”, ka shtuar burimi.

-->