Zidane ka këtë kërkesë për tifozët e Realit – ka të bëjë me Bale

Futboll 24 Nëntor 2019 22:13

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, u ka bërë thirrje tifozëve që të nisin të mbështesin Gareth Balen dhe të ecin tutje nga ajo mosmarrëveshje “klub apo shtet”, që çoi te fishkëllimat e shumta të drejtuara ndaj sulmuesit uellsian në fitoren 3:1 që Real Madridi e shënoi të shtunën mbrëma ndaj Real Sociedadit.

Përkushtimi i Balet ndaj Real Madridit ka qenë temë debati këtë javë, pasi ai ndihmoi Uellsin të kualifikohej në Evropianin 2020 dhe iu bashkua bashkëlojtarëve në një vallëzim përkrah panos ku shkruhej “Uellsi. Golfi. Madridi. Në këtë rend”.

Sulmuesi që i kishte kushtuar Real Madridit 100 milionë euro, është kritikuar nga mediumet spanjolle për festimin e tij dhe tifozët e Real Madridit nisën fishkëllimat kur ai u aktivizua nga banka rezervë në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Sociedadit, që u luajt në “Santiago Bernabeu” të Madridit.

“Ka shumë zhurmë lidhur me Balen. Ai dëshiron të jetë këtu dhe të paraqitet sa më mirë që është e mundur, për këtë ne nuk duam të flasim tepër për këtë çështje. Ai është i integruar në grup dhe dëshiron të luajë mirë, si çdo lojtar tjetër. Shpresoj që kjo të mos vazhdojë gjatë stinorit. Ne duam që tifozët të jenë me ne nga fillimi i ndeshjes deri në fund, por nuk mund të kontrollojmë këtë. Tifozët kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, por unë iu kërkoj atyre t’i përkrahin të gjithë”, ka thënë Zidane.

Tifozët e Realit mbanin pano me shkrim “Rodrygo-Vinicius-Lucas-Bale. Në këtë rend”.

Real Madridi kishte mbetur në disavantazh pas golit të Willian Joses në minutën e dytë, por Karim Benzema dhe Federico Valverde shënuan duke kaluar Realin në epërsi. Atmosfera u acarua në tribuna kur Bale u aktivizua nga bankina, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore. Mirëpo, ai tregoi një përformancë të admirueshme, duke krosuar për golin e tretë të Luka Modriqit, që siguroi trepikëshin e Realit.

Angazhimi i Bale çoi te duartrokitjet nga një grup i tifozëve të Realit dhe Zidane thotë se shpreson që të gjithë të lënë prapa këtë histori.

“Tifozët e Real Madridit kanë fishkëllyer gjithë lojtarët më të mirë dhe Bale dha një paraqitje të mirë kur u aktivizua. Ai duhet të përqendrohet të punojë fort në fushë. Nuk ka të bëjë me atë nëse kuptoj fishkëllimat apo jo, ne duam që tifozët tanë të jenë në anën tonë dhe në anë të Garethit dhe të gjithë lojtarëve të tjerë. Ne duam që tifozët të aplaudojnë atë, siç bënë pas golit të tretë”, ka shtuar Zidane.

Real Madridi zë vendin e dytë në renditje në La Liga pas 13 ndeshjeve të zhvilluara me 28 pikë, sa i ka edhe Barcelona që kryeson renditjen.

-->