Ziyech flet si londinez: Kam biseduar me Lampardin, ja pse zgjodha Chelsean

Futboll 24 Shkurt 2020 19:53

Blerja e parë për merkaton e verës te Chelsea do të jetë Hakim Ziyech.

Marokeni do të largohet nga Ajax në fund të sezonit, për t’u bashkuar me Blutë, të cilët do të paguajnë plot 40 milionë euro për shërbime te tij.

Në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të Ajax, 26-vjeçari zbulon arsyen kryesore se përse zgjodhi Chelsean. Gjithashtu, Ziyech shprehet se ka komunikim të vazhdueshëm me Frank Lampard.

“Më në fund kam shansin e madh. Kjo është ajo që doja. Chelsea është një klub i madh dhe me shumë histori. Ata luajnë futboll shumë ofensiv me trajnerin e ri dhe ai ka besim shumë te lojtarët e rinj. Kjo është e rëndësishme për mua, që bëjnë futboll sulmues. Kam kontaktuar me Lampard prej javësh. Fillimisht folëm në telefon, ku patëm disa biseda të gjata sa i përket stilit të lojës, klubit dhe mua personalisht. Më pas, kemi komunikuar shpesh nëpërmjet mesazheve”, përfundoi Ziyech.

Kujtojmë se klubi anglez dje konfirmoi se me anësorin ka arritur marrëveshje 5-vjeçare.

-->