Zvicra e mposhti Gjermaninë në finale

Tenis 05 Janar 2019 20:06

Për të dytin vit me radhë, Zvicra triumfon në turneun e Hopman Cup, duke mundur 2-1 Gjermaninë në ndeshjen finale, aktivitet që u zhvillua për një javë me radhë në Perth të Austrtalisë. Ashtu si një vit më parë, dyshja zvicerane Roger Federer e Belinda Bencic triumfoi ndaj dyshes gjermane, të përbërë nga Alexander Zverev e Angelique Kerber, një “replay” e finales së një viti më parë.

Federer triumfoi 2-0 (6-4, 6-2) ndaj Zverev, një përballje mes numrave 3 e 4 në renditjen botërore për meshkuj, ndeshje e dominuar nga tenisti zviceran. Për femra, Kerber riktheu ekuilibrin, duke mundur 2-0 (6-4, 7-6) Bencic, ndaj vendimtare ishte loja dyshe mikse. Në ndeshjen finale, dyshja Federer/Bencic mundi 2-1 dyshen Zverev/Kerver (4-0, 1-4, 4-3).

Çifti gjerman ishte pranë fitores në setin final dhe pranë revanshit pas humbjes një vit më parë, teksa pati edhe një shërbim për ta fituar ndeshjen, por pa sukses. Dyshja zvicerane arriti të anulojë këtë përparësi të rivalit, duke përmbysur më tej shifrat dhe fituar më pas në “tie break”.