Zvicra i fillon kualifikimet për Euro 2020 me fitore

Futboll 23 Mars 2019 17:20

Kombëtarja e Zvicrës ka fituar ndeshjen ndaj Gjeorgjisë me rezultat2:0, e cila është ndeshja e parë që u zhvillua në Grupin D të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Në Grupin D, Zvicra do të përballet edhe me Gjibraltarin, Irlandën, dhe Danimarkën.

Kombëtarja zvicerane është favorite për ta fituar këtë grup dhe forcën e vet e dëshmoi duke e nisur grupin me fitore.

Në epërsi fillimisht kaloi në minutën e 56-të përmes golit të shënuar nga Steven Zuber, ndërsa rezultatin e dyfishoi Denis Zakaria në minutën e 80-të të ndeshjes.

Zvicra e dominoi këtë ndeshje me 65 për qind të posedimit të topit dhe gjithsej 23 goditje drejt portës, në krahasim me gjashtë të Gjeorgjisë.

Megjithatë, zviceranët i humbën disa raste të mira për të shënuar dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2:0.

Vlen të theksohet se në formacionin e parë titullar nga shqiptarët ishte vetëm Granit Xhaka, ndërsa Albian Ajeti u inkuadrua në lojë në minutën e 61-të. Xherdan Shaqiri nuk pati mundësi të luajë për ekipin kombëtar të Zvicrës në ndeshjet e marsit, për shkak të një lëndimi.

-->