Zyrtare – e konfirmon FFK: Në këtë datë rifillon dhe mbyllet Superliga

Futboll 18 Maj 2020 21:30

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e garave në Ipko Superligën e Kosovës, KE i FFK-së shqyrtoi mundësitë që në këtë rang të garave të nisin zhvillimi i stërvitjeve në përputhje me udhëzimin e MSH-së dhe IKSHPK-së.

“KE është i vetëdijshëm për situatën në të cilin gjendet Kosova, por po ashtu është i vetëdijshëm edhe për rëndësinë e përfundimit të garave në Ipko Superligë, pasi që ky rang i garave ka impakt edhe në garat evropiane, prandaj është edhe prioritet, që garat të zhvillohen në këtë ligë që të mos dëmtohen klubet që do ta fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në garat e Evropës”, thuhet në njoftim të FFK-së, përcjell Insporti

“KE thekson se rruga më e mirë është që gjithçka të vendoset në fushën e gjelbër. Në këtë mënyrë klubet kanë mundësi të përgatiten mjaftueshëm deri në fillimin e ndeshjeve. KE do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ndeshjet të zhvillohen në mënyrën sa më të mirë mundshme në përputhje me Udhëzimet e Institucioneve shtetërore”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, ndeshjet do të zhvillohen pa shikues dhe sipas orarit që kanë paraparë organet e FFK-së që do të zhvillohen prej 7 qershorit e deri më 25 korrik.

FFK ka shtuar se ndonëse në këtë fazë janë lejuar zhvillimi i garave vetëm për Ipko Superligën e Kosovës, KE varësisht prej situatës do të kërkojë që garat të lejohen edhe për rangjet tjera, por gjithnjë duke mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve e me këtë edhe të futbollistëve. /Insporti.com/

-->