Zyrtare: Enis Gavazaj nënshkruan me Kukësin

Futboll 22 Korrik 2019 23:28

Kukësi ka bërë një goditje të madhe në këtë afat kalimtar, pasi ka njoftuar se e ka transferuar e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Enis Gavazajn.

Ky i fundit ka qenë pjesë e Skënderbeut të Korçës në sezonet 2016-2018, ndërsa vitin e kaluar e kaloi në huazim mes rusëve të Yenniseyt në fazën e parë dhe bjellorusëve të Dinamos së Minskut në të dytën.

Shifrat e tij në sezonin që lamë pas nuk ishin impresionuese, pasi luajti vetëm 12 takime, duke mos shënuar asnjë gol, por bëhet fjalë për një 24-vjeçar që e njeh mjaft mirë Kategorinë Superiore.

 

Sulmuesi nga Prizreni është bërë pjesë e Kombëtares Shqiptare në vitin 2018 dhe ka luajtur tri takime, në kohën kur trajner ishte Christian Panucci, ndërsa më pas nuk u ftua më për mungesë aktivizimi.

Me ardhjen e Gavazajt, por edhe me Valdet Ramën, Vasil Shkurtajn dhe Eduart Rrocën, sulmi i Kukësit për sezonin e ri duket i kompletuar dhe njëkohësisht “i frikshëm” për mbrojtjet kundërshtare. /SS/