Zyrtare: FFK-ja e dënon me 6 muaj Agim Canën

Futboll 19 Qershor 2019 11:25

Komisisioni disiplinor i FFK-së ka publikuar vendimet e fundit të komisionit, rreth ndeshjeve të barazhit në kuadër të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

FFK-ja ka njoftuar se komisioni disiplinor i shkallës së parë, në mbledhjen e mbajtur me datë 18 qershor shqyrtoi procedurat e hapura disiplinore për kundërvajtësit nga ndeshjet e barazhit për IPKO Superligë të zhvilluara me datë 31 maj dhe 1 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Federata e Futbollit e Kosovës kësisoj ka marrë vendim që t’ia ndalojë Agim Canës kryerjen e funksionit zyrtar me kohëzgjatje prej 6 muajve, transmeton Insporti

Cana u fut në zhveshtore pas përfundimit të ndeshjes me Trepçën, ku në prani të mediave kishte mbajtur një fjalim në zhveshtoren e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku sugjeroi se lojtarët e tij duhet të jenë krenar për lojën e tyre, duke shtuar se ata ishin edhe kundër “mafisë”.

Këto deklarata të Canës, nga Komisioni Disiplinor janë cilësuar se janë në kundërshtim me kodin e etikës sportive.

Ndërkaq, klubi i Vëllaznimit është dënuar me shumë prej 1 mijë eurove për shkak të sjelljeve të tifozëve dhe ofendimeve të tyre drejtuar ekipit kundërshtar (Trepçës 89′) si dhe zyrtarëve të ndeshjes.

FFK-ja ka bërë të ditur se palët e pakënaqura me këto vendime kanë të drejtë ankese drejtuar komisionit disiplinor të shkallës së dytë; komisionit për ankesa në afatin kohor prej 8 ditësh. /Insporti.com/

Vendimet e Komisionit Disiplinor:

AGIM CANA; kryetar i KF “VËLLAZNIMI“ nga Gjakova, në procedurë të hapur disiplinore nga ana e komisionit për shkelje të kodit të etikës sportive, ku pas përfundimit të ndeshjes përcaktuese për IPKO-SUPERLIGË , kategoria e seniorëvë; TREPÇA ‘89 – VËLLAZNIMI, e zhvilluar me datë 01.06.2019 në stadiumin “Fadil Vokrri“ në Prishtinë, fton mediat në zhveshtoret e KF “Vëllaznimi“ nga Gjakova, prononcohet duke thënë deklarata ofenduese, fyese dhe të pa bazuara për futbollin e Kosovës, në prezencë të futbollistëve dhe mediave. Ky veprim i tillë është në kundërshtim me kodin e etikës sportive. Bazuar në raportet zyrtare si dhe incizimet televizive, konform Rregullores disiplinore neni 59 paragrafi 1 pika 2 (shpifje dhe përhapje e të pavërtetave); DENOHET; me ndalesë të kryerjes së funksionit zyrtar në klub, në kohëzgjatje për; 6 (gjashtë) muaj për të gjitha ndeshjet e organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

KF “VËLLAZNIMI“ nga Gjakova në procedurë të hapur disiplinore nga ana e komisionit për sjellje të gabuara dhe jo korrekte nga ana e spektatorëve të klubit të tyre drejtuar ekipit kundërshtar dhe gjyqtarëve të takimit ( minutat; 16,63 – fyerje dhe ofendime drejtuar lojtarëve dhe ekipit kundërshtar , minuta 66 pati shfaqje të farkimeve në fushë kurse nga pjesa perëndimore hedhje të 3 shisheve pvc në fushë) në ndeshjen përcaktuese – barazhit për IPKO-SUPERLIGË, kategoria e senioprëve; TREPÇA 89 – VËLLAZNIMI e zhvilluar me datë 01.06.2019 në stadiumin “Fadil Vokrri“ në Prishtinë (raportet e zyrtareve nga ndeshja e zhvilluar ). Bazuar në Rregulloren disiplinore neni 50 paragrafi 1 pika 3 dhe neni 10 paragrafi 1 pika 2 , KF “Vëllaznimi“ nga Gjakova; DENOHET me të holla në shumë prej; 1000 euro (një mijë). Afati i pagimit të dënimit të shqiptuar në të holla është 15 ditë nga data kur vendimi bëhet i plotfuqishëm ( Rregullorja disiplinore neni 11 paragrafi 1).

KF “GJILANI“ nga Gjilani në procedurë të hapur nga ana e komisionit disiplinor, për sjellje të gabuara nga ana e spektatorëve të klubit të tyre (minutat; 84 dhe 85 pati ofendime dhe fyerje të organizuara në kor drejtua ekipit kundërshtar dhe lojtarit Alban Tusuni ) në ndeshjen përcaktuese – barazhit për IPKO-SUPERLIGË, kategoria e seniorëve ; GJILANI – BESA e zhvilluar me datë 31.05.2019 në stadiumin “ Fadil Vokrri “ në Prishtinë. (Raportet zyrtare nga ndeshja e zhvilluar). Bazuar në Rregulloren disiplinore neni 50 paragrafi 1 pika 3 dhe neni 10 paragrafi 1 pika 2, KF “Gjilani“ nga Gjilani; DENOHET ; me të holla në shumë prej; 1000 euro (njëmijë). Afati pagimit të dënimit të shqiptuar në të holla është ; 15 ditë nga data kur vendimi bëhet i plotfuqishëm (Rregullorja disiplinore neni 11 paragrafi 1).

KF “BESA“ nga Peja për mosrespektim të marrëveshjes së nënshkruar në respektimin e afatit kohor ; 15 Maj 2019 ; klub-lojtarë dhe FFK në përmbushjen e detyrimeve – obligimeve financiare ndaj lojtarëve të ankimuar të dala nga kontratat e lidhura me lojtaret; i HAPET PROCEDURA DISIPLINORE deri në kompletimin e provave – vendimin përfundimtar të komisionit . Kërkohet raport lidhur me rastin nga ana e klubit të futbollit “ BESA “ nga Peja, afati datë 24.06.2019. Në rast së KF “ Besa “ nga Peja nuk i përmbahet marrëveshjes në përmbushjen e obligimeve ndaj lojtarëve në ankimim, komisioni disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Kosovës do të aplikojë dispozitat e Rregullores disiplinore neni 64 paragrafi 1 pika 9 dhe neni 65 paragrafi 1 dhe 2 (të gjitha pikat e mundshme).

-->