Zyrtare: Jose Mourinho trajner i Tottenham

Futboll 20 Nëntor 2019 08:16

Tottenham Hotspurs ka emëruar trajner Jose Mourinho, shkruan Insporti.com.

Klubi anglez përmes një komunikate ka njoftuar për marrëveshjen e arritur  deri në sezonin 2022/23 me trajnerin portuegez. Mourinho sot do të udhëheq stërvitjen që do të zhvillohet në mbrëmje.

“Gjelat” të martëm mbrëma shkarkuan trajnerin argjentinas, Mauricio Pochettino pas rezultateve të dobëta në Premier Ligë.

Presidenti i klubit, Daniel Levy ka deklaruar se Mourinho do të rikthejë vetëbesimin te futbollistët dhe se ishte e vështirë shkarkimi i Pochettinos.

“Ne kemi ngurruar tejet shumë për ta bërë këtë ndryshim dhe nuk është një vendim të cilin bordi e ka marrë lehtësisht apo me nxitim. Na vjen keq sepse rezultatet në fund të sezonit të kaluar dhe në fillim të këtij sezoni janë tejet zhgënjyese. Mauricio dhe stafi i tij do të jenë gjithmonë në historinë tonë”, ka deklaruar Levy

Mourinho ka qenë i papunësuar si trajner që nga dhjetori i vitit 2018, kur u shkarkua nga Manchester Unitedi. Tani, tre-herë fituesi i Premierligës është gati t’i kthehet botës së futbollit.

“Special One” në të kaluarën ka drejtuar në ishull, Chelsea dhe Manchester United.

Nën udhëheqjen e Pochettinos gjatë kësaj periudhe, Tottenhami përfundoi në top katërshe të Premierligës katër herë, si dhe arriti në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2018/19.

Tottenham renditet në pozitën e 14 me 14 pikë pas 12 ndeshjeve të zhvilluara. /Insporti.com/

-->