Zyrtare: Lampard nënshkruan me klubin anglez (Foto)

Futboll 31 Maj 2018 11:09

Ditë më parë u raportua se legjenda e Chelseat, Frank Lampard, është afër rikthimit në futbollin aktiv, mirëpo kësaj radhe në rolin e trajnerit.

Lampard i cili vitin e kaluar u pensionua edhe zyrtarisht si futbollist pasi kaloi një vit në ligën MLS në SHBA te skuadra New York City, informoi se së shpejti do ta merrte drejtimin e një skuadre angleze, e cila nuk arriti që përmes play-off’it të promovohej në Premier League dhe do ta garojë edhe një tjetër edicion në Championship.

Kurse, sot u konfirmua se Frank Lampard ka nënshkruar me skuadrën e Derby County dhe do të jetë trajner i saj nga sezoni i ardhshëm.

Lampard në stolin e Derby County do ta zëvendësoj trajnerin Gary Rowett, i cili u largua për ta marrë drejtimin e Stoke City, e cila po ashtu nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Championship.

“Gjithmonë kam dashur që ta drejtojë një klub me traditë dhe histori si Derby County, kështu që kjo është një mundësi e madhe për mua”, ishin fjalët e para të Lampard pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Kemi kaluar një kohë të konsiderueshme bashkë me presidentin dhe bordin, duke diskutuar objektivat e klubit dhe do të mundohemi të sjellim disa prej talentëve nga akademia dhe skuadra e të rinjve të klubit, duke punuar edhe më shumë për një rikthim në Premier League”.

“Kjo është puna ime e parë si trajner, por kam punuar ngushtë gjatë karrierës sime me disa prej trajnerëve më të mirë në futboll dhe kam besim në aftësitë e mia dhe të njerëzve që kam përreth skuadrës, përfshirë edhe bordin e klubin. E di që nuk është punë e lehtë drejtimi i një skuadre, por po e pres me padurim këtë sfidë që kam përpara”, deklaroi Frank Lampard. /Insporti.com

-->