Zyrtare: Neto është i Barcelonës

Futboll 27 Qershor 2019 13:41

Një ditë më parë u konfirmua transferimi i Jasper Cillessen nga Barcelona te Valencia, kurse sot katalanasit zyrtarizuan blerjen e portierit Neto që vjen nga skuadra e Valencias.

Neto është zyrtarizuar si blerja më e re e Barcelonës dhe te blaugranat do të jetë zëvendësi i portierit titullar gjermanit, Marc Andre Ter Stegen rol këtë që deri në fund të sezonit të kaluar e mbante Cillesen, i cili tashmë do të luajë titullar te Valencia.

Klubi katalanas ka njoftuar transferimin e portierit brazilian përmes njoftimit në faqen zyrtare.

Ndonëse duket si blerje e re pasi Barçës i ka kushtuar 35 milionë euro, Neto është shkëmbyer me Cillesen por dy klubet për të regjistruar në bilancet e tyre përfitime të rëndësishme kanë vepruar në këtë mënyrë, pasi për të njëjtin çmim edhe Barcelona e ka shitur holandezin te Valencia.

Barcelona gjithashtu i ka vënë edhe një klauzolë largimi portierit 30-vjeçar, prej plot 200 milionë eurosh.