Zyrtare: Pezullohet ylli i Man Cityt për shkak të “racizmit”

Futboll 14 Nëntor 2019 08:22

Ylli i Manchester City, Bernardo Silva, është pezulluar me një ndeshje mos lojë dhe është gjobitur me 50 mijë funte nga Federata e Futbollit e Anglisë (FA), për shkak të postimit kontrovers në Twitter në lidhje me bashkëlojtarin e tij, Benjamin Mendy.

Silva u akuzua fillimisht për sjellje të pahijshme nga FA në tetor, pasi më 22 shtator e kishte postuar një fotografi të Mendyt kur ishte fëmijë dhe pranë saj një fotografi tjetër të Conguitos, me përshkrimin “Gjejeni se kush është?”.


Postimi i Silvas që u fshi menjëherë

Portugezi e fshiu postimin dhe pastaj e shkroi një mesazh që përmbante fjalët: “Në ditët e sotme nuk mund të bësh as shaka me shokun tënd.. ju njerëz…”.

Edhe pse FA tha se 25-vjeçari nuk e ka pasur për qëllim të tregohet racist, ka vendosur ta pezullojë atë për ndeshjen e ardhshme të Manchester City.

Kjo nënkupton se Silva do të mungojë kundër Chelseat në Premierligë më 23 nëntor.

“Shumë njerëz do të ishin ndier të ofenduar nga ai postim. Lojtari nuk e ka pasur për qëllim të tregohet ofendues apo racist. Është e qartë se qëllimi i tij ka qenë të jetë një shaka mes miqve të afërt”, thuhet në njoftimin e FA.

“Megjithatë, ky nuk ishte komunikim privat mes miqve. Postimi u bë në rrjet social dhe para 600 mijë ndjekësve të një futbollisti profesionist të profilit të lartë dhe shumë të respektuar”, thuhet tutje në njoftimin e FA.

-->