Zyrtare: Presidenti i Feronikelit tregon pse e shkarkoi trajnerin Zekirija Ramadani

Futboll 02 Gusht 2019 13:01

Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj, ka sqaruar vendimin për ta ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Zekirija Ramadani.

Klubi nga Drenasi përmes një njoftimi në faqen zyrtare konfirmoi se Zekirija Ramadani më nuk do të jetë në krye të ekipit, shkruan Insporti

Në njoftim thuhej se “kështu është vendosur pas një mbledhje të klubit me presidentin, Naser Ramaj, duke analizuar gjendjen e klubit dhe rezultatet e fundit.”

Insporti ka kontaktuar me presidentin Ramaj, i cili sqaroi gjithçka rreth këtij vendimi.

Ai tha se vetë ka vendosur që të mos e vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin nga Shkupi.

“Unë kam vendosur që mos ta vazhdoj bashkëpunimin”, tha Ramaj shkurt për Insportin.

I pyetur rreth trajnerit të ardhshëm, Ramaj konfirmoi se nuk bëhet fjalë për një tjetër trajner të Superligës. Ai tha se në krye të ekipit do të emërohet trajner i huaj.

“Trajneri tjetër do të jetë i huaj”, pohoi Rama.

Me Feronikelin këtë sezon, Zekirija Ramadani fitoi titullin e IPKO Superligës dhe Kupën e Kosovës.

Në Evropë, ‘Nikli’ u eliminua në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në Europa Ligë u eliminua në rundin e dytë të kualifikimeve. /Insporti.com/