Zyrtare: Reali transferon MVP-në e Ligës së Spanjës

Basketboll 09 Korrik 2019 13:05

Real Madridi ka bërë transferin më të madh të këtij sezoni në Ligën Endesa, pasi arriti që në radhët e veta të sjell lojtarin i cili u shpall basketbollisti më i mirë në këtë ligë sezonin e kaluar.

Klubi mbretëror spanjoll transferoi argjentinasin Nicolas Laprovittola, i cili vjet në fanellën e Joventudit shkëlqeu, duke luajtur sezonin më të mirë në karrierë dhe duke u shpallur MVP i ligës.

Reali është kampion aktual i Spanjës, pasi fitoi një seri dramatike të finales së plejofit ndaj Barcelonës dhe besohet se me Nicon Laprovittolan në ekip, sërish mund të kërkojnë sukses edhe në Euroligë, ku sivjet përfunduan në vendin e tretë.

Laprovittola ka luajtur në 18 ndeshje për ekipin San Antonio Spurs në NBA, shkruan Insporti, duke shtuar se pas ardhjes në Evropë ka shkëlqyer në fanellat e ekipeve spanjolle dhe ruse.

Fjala është për një lojtar, i cili luan në pozitën e plej mejkerit dhe është i gjatë 193cm, kurse më herët ka fituar trofe edhe në Argjentinë e Brazil si dhe në garat e FIBA-s me kombëtaren e Argjentinës.