Zyrtare: Talenti i Bundesligas braktis Shqipërinë, i bashkohet Kosovës

Kombëtarja 07 Gusht 2019 20:31

Pas Florent Muslijajt një tjetër talent i skuadrës gjermane Hannover 96 ka vendosur t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës.

Bëhet fjalë për talentin Valdrin Mustafa, të cilit Federata e Futbollit e Kosovës i dëshironmirëseardhje në ekipin e “Dardanëve”, bën të ditur FFK-ja, raporton Insporti

“Në emër të KE të FFK-së dhe stafit të ekipeve Kombëtare, falënderoj ambasadorin Beqë Cufaj dhe stafin e ambasadës në Berlin, Fekmi Kongjelin e Besim Zenelin, si dhe futbollistin Valdrin Mustafa që pas bisedimeve të përbashkëta dhe insistimit të këtyre njerëzve dhe FFK-së vendosi që tash e tutje ta bartë fanellën e Dardanëve”, thotë kreu i FFK-së, Agim Ademi.

Ademi tutje i ka uruar mirëseardhje Mustafës.

“Mbi të gjitha vlerësoj dëshirën e Valdrinit për të qenë kontribuues për vendin e rrënjëve të tij, për familjen dhe popullin e tij. Po ashtu, një falënderim i veçantë edhe për familjen e këtij futbollisti që e ka rritur atë në frymën patriotike. Mirë se vjen Valdrin Mustafa”, ka thënë Ademi.

Mustafa ka qenë pjesë e ekipeve Kombëtare të Shqipërisë, gjegjësisht kombëtareve U19 dhe U21, ku për herë të fundit pjesë e ekipit U21 të Shqipërisë kishte qenë në mars të vitit të kaluar.

21-vjeçari do të jetë i gatshëm të luajë për Kosovën U21 qysh nga muaji shtator. Madje ai mund të luajë edhe në ndeshjen e 9 shtatorit, ku Kosova udhëton në Angli.

“Do të ishte një nder i veçantë për mua nëse do të më jepej mundësia të luaj në ndeshjen e parë, dhe sidomos duke parë si kundërshtar Kombëtaren e Anglisë. Shpresoj që kjo të ndodhë“, tha 21-vjeçari.

Nëse Mustafa nuk luan ndaj Anglisë, ai do të jetë i gatshëm më 15 tetor, pikërisht ndaj Shqipërisë U21. /Insporti.com/