Zyrtarizohet transferimi i parë i verës nga Mourinho

Futboll 06 Maj 2018 16:03

Skuadra e Manchester United dhe trajneri Jose Mourinho, do të jenë goxha aktiv në afatin kalimtar të verës, pasi përpos që pritet të largohet një numër i lojtarëve të United, po ashtu ka pritshmëri për disa blerje të bujshme.

Sipas raportimeve të fundit nga shtypi britanik, Manchester United ka përfunduar marrëveshjen për transferimin e parë të verës, futbollistin i cili tash e një kohë ka qenë në radar të Mourinhos dhe “Djajve të Kuq”.

Bëhet fjalë për mesfushorin shumë të talentuar të Lazios, serbin Sergej Milinkoviç-Saviç, për të cilin thuhet se Man.United ka paguar shumën prej 90 milionë funteve.

23 vjeçari pritet të jetë blerja e parë e bujshme nga Jose Mourinho, pas avancimit të bisedimeve gjatë javës së kaluar me përfaqësuesit e mesfushori serb, të cilin United ishte duke e përcjell për një kohë.

Milinkoviç-Saviç, pritet të jetë transferimi i dytë më i shtrenjtë nga “Djajtë” në Premier League, pas 89 milionë funteve të shpenzuara për Paul Pogban  dy vite më parë, kur francezi u rikthye në “Old Trafford” nga Juventus.

Me përfundimin e kontratës të Carrick dhe Fellainit te Man.United, Mourinho e kërkonte një lojtarë për mesfushë dhe bashkëveprimi i Milinkoviç-Saviç në mesfushë me serbin tjetër Nemanja Matiç, pritet të jetë një formulë e suksesit nga trajneri portugez, me ç’rast do t’i mundësonte Paul Pogbas të luante më i avancuar, në pozitën që francezi e preferon më shumë.

Marrëveshjen e ka ndihmuar edhe fakti se, agjenti i Milinkoviç-Saviç, Mateja Kezman, që dikur ishte edhe vet futbollist, ka qenë njëri prej transferimeve të para të Mourinhos në Premier League, kur ky i fundit kishte marrë drejtimin e Chelseat në vitin 2004 dhe “I Veçanti” ka ruajtur raporte të mira me ish-sulmuesin serb. /Insporti.com

-->